Qendra Multifunksionale "New Generation"

Qendra Multifunksionale “New Generation”, e filloi veprimtarinë e saj si Kolegj Profesional, “New Generation”. U themelua si një investim plot pasion i vëllezërve Tafaj. U hap nisur nga kërkesat e kohës në drejtim të ngritjes së standartit në parukeri dhe estetikë, që shërbimet në këto fusha të ngrihen mbi baza shkencore dhe në një nivel bashkëkohor. Pas aplikimit në MASH, themelimi i Kolegjit u bë nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 798, datë 22.07.2009, ku u lejua të hapej programi i ciklit të parë të studimit Bsc në Masazheri Estetiko – Kuruese. Me VKM nr 440, datë 09.06.2010 u bë hapja e dy programeve dy vjeçare: “Estetikë e Avancuar” dhe “Parukeri e Avancuar”. Të gjitha programet e studimit u hartuan bazuar në parimet e Bolonjës dhe sipas experiencës më të njohur europiane. Puna e studentit ekuivalentohet me kreditet përkatëse. Çdo vit akademik ka 60 kredite (ECTS) dhe së paku 1500 orë punë të studentit, që lejonë dhe transferimin e studimeve. Në 5 vjet histori me strukturën e një Kolegji Profesional, “New Generation” ka patur synim strategjik thellimin në metodat shkencore dhe profesionale të mësimdhënies duke u mbështetur në cilësitë e një stafi vendas dhe të huaj, me tituj dhe grada shkencore. Në vitin 2014, nisur nga fakti që Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, hartoi Ligjin e plotë për Arsimin Profesional të të rinjve, “New Generation” gjeti përshtatje maksimale në këtë Ministri duke patur programe thellësisht profesionale, por me një synim akoma më të lartë, atë të të qenurit sa më pranë tregut të punës. Kështu do tu shërbejë më mirë interesave të të rinjve, duke e transformuar Kolegjin Profesional “New Generation” në një Qendër Multifunksionale. Ky vizion i qartë i “New Generation” dhe marrëdhëniet me institucionet e tjera brenda dhe jashtë vendit, si ato te artit, të modës dhe qendrat estetike, do vijojë ta ketë prioritet për studentët dhe të gjithë të rinjtë aftësimin për përballjen me tregun e punës.